Gradishta e Belshit që dikur mbante popullsi të fisit ilir të Parthinëve

Bashkia e Belshit ka në mbrojtje të saj disa monumente të kulturës, siç është Gradishta e Belshit që dikur mbante popullsi të fisit ilir të Parthinëve. Në Gradishtë është gjetur varri i një princi Ilir, i quajtur Princi i Belshit. Princi ishte varrosur me nderime të mëdha rreth viti 350 para Krishtit, me rreth 70 objekte arkeologjike, që sot gjenden të ekspozuara në muzeun historik të lashtësisë dhe antikitetit të landit të Austrisë së sipërme në Asparm. Gjithashtu, në Gradishtë, nga gërmimet arkeologjike janë gjendur edhe shumë objekte të tjera balte, portrete të ndryshme në terrakotë si dhe enë për pije me figurën e Afërditës etj. Faltorja e Afërditës ndodhet jo larg liqenit të Seferanit, në të cilin hidheshin enë, terrakota si dhurata për perëndinë në ushtrimin e kultit të saj. Qeramika me kokën e Afërditës zinte vend të veçantë në kultin e banorëve të qytetit ilir të Belshit.

Porta Vendore u interesua pranë Bashkisë së Belshit dhe ata pohuan njëlloj si Bashkia e Peqinit se nuk kanë marrë asnjë investim nga ana e Ministrisë së Kulturës për restaurimin e disa monumenteve që ndodhen në këtë bashki.

Por, për banorët e Belshit, Mali i Gradishtës është vend ku njerëzit mblidhen dhe organizojnë piknikë. “Mali i Gradishtës është shumë i lashtë, dhe dikur ka qenë qytet i kohës së ilirëve thonë. Madje këtu ka pasur edhe kala. Po të gërmohet mund të dalin gurë të mëdhenj që tregojnë se ka pasur kala. Vijmë shpesh këtu, organizojnë piknikë, për ditën e verës, apo ditën e balonave”, thotë Armandi një banor i zonës. Në Belsh gjithashtu gjenden rrënojat antike në Pellaz të Uruçajve, Kisha mbi çezmën e Belshit si dhe Tumat në perëndim të Kajanit. “Deri më sot këto monumente kulture s’kanë marrë asnjë lloj investimi për restaurimin dhe mbrojtjen e tyre. Nuk ka projekte as nga ana e Ministrisë së Kulturës për financimin e këtyre monumenteve”, thotë për Portën Vendore në një përgjigje zyrtare të kërkesës për informacion, Bashkia e Belshit.
Older Posts
Newer Posts

Post a Comment

Ads Single Post 4