Park fotovoltaik diellor 50 MWp në bashkinë e Belshit

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Në Belsh do të ndërtohet një park diellor 50 MWp, me financim nga BERZH dhe KESH, në një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë. 

Këshilli i Ministrave miratoi këtë javë në parim marrëveshjen e garancisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo marrëveshje i hap rrugë financimit të ndërtimit të impiantit diellor me kapacitet prej 50 MWp në zonën e Belshit. 


Projekti, me një kosto totale prej 40 milionë euro, do të financohet përmes një kredie prej 30 milionë eurosh nga BERZH, ku shteti shqiptar do të jetë garantues. 

Përveç kësaj, një grant prej 8 milionë euro do të sigurohet nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), ndërsa pjesa tjetër prej 2 milionë euro do të vijë si injeksion kapitali nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). 


Parku fotovoltaik do të ndërtohet në një sipërfaqe prej rreth 60 hektarësh në territorin e bashkisë së Belshit. Ai do të lidhet me rrjetin elektrik nëpërmjet një linje të re 110 kV, me gjatësi rreth 9 km, që do të shkojë në nënstacionin ekzistues në Kajan, i cili do të zgjerohet për nevojat e projektit. 


Sipas BERZH, energjia e prodhuar nga ky impiant do të ndihmojë rritjen e kapacitetit të gjenerimit të KESH-it. /j.p/
Older Posts No results found
Newer Posts

Post a Comment

Ads Single Post 4